Messi në darkë me Xavin, Busquetsin dhe Alban në Barcelonë

Lionel Messi ka darkuar me ish bashkëlojtarët e vet Xavi Hernandez, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, të hënën në Barcelonë.

Natyrisht, prania e sulmuesit të Paris Saint-Germain në Katalonjë dhe takimi me trajnerin e Barcelonës ka nxitur thashetheme për një kthim të mundshëm të tij në Camp Nou, raporton Gazeta Express.

Messi iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë pasi u largua nga Barcelona në verë, për shkak të krizës financiare të gjigantit katalonas.

Por kjo ishte thjesht një vizitë e Messit në një kohë pushimi nga futbolli, pasi trajneri i Argjentinës nuk e ftoi fare 34-vjeçarin për ndeshjet e këtij muaji, duke e ditur se ai sapo e ka marrë veten nga Covid-19.

E vërteta është se Messi e shfrytëzoi pushimin për të qenë i pranishëm në ditëlindjen e Xavi Hernandezit, trajnerit të Barçës i cili e festoi 42-vjetorin e lindjes.

Xavi e kishte ftuar Messin bashkë me Busquetsin dhe Alban për ta festuar ditëlindjen në një restorant japonez në Barcelonë, sipas Mundo Deportivos.

Ata u shoqëruan nga bashkëshortet e tyre në darkën e së hënës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *