Presidenti i FFK-së Ademi: Sulmi me tritol ndaj Armand Dukës kriminal dhe i shëmtuar

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka mbetur i tronditur nga sulmi me tritol ndaj shefit të futbollit shqiptar, Armand Duka, duke e quajtur atë si kriminal dhe të shëmtuar.

Shtëpia e Dukës u sulmua me tritol të hënën vonë. Ai nuk ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm në portën e shtëpisë së tij në Durrës.

Sulmi ndaj tij vjen në prag të zgjedhjeve në federatën e futbollit në Shqipëri, në të cilat Duka synon një mandat të gjashtë radhazi.

Ademi, homologu i tij nga Kosova, e ka quajtur ngjarje të rëndë për futbollin shqiptar sulmin ndaj Dukës.

“I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Durrës”, shkroi Ademi në Facebook.

Ai shtoi: “Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s.”

Duka ka thënë pas sulmit se një person me kapuç është parë duke e vendosur lëndën shpërthyese te porta e shtëpisë së tij dhe se policia ka nisur hetimet.

59-vjeçari tha se e kishte marrë një mesazh kërcënues disa ditë më parë, në të cilin i kërkohej të hiqte dorë nga pozita e shefit të futbollit shqiptar nëse donte të jetonte.

“Po e kam marrë. Jo nuk e kam denoncuar. ‘Ti luan me dy standarde, ti k*rv luan me lekët tona për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë o k*rvë se betimi u bë i pakthyeshëm’”, tha Duka pas sulmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *