Gazeta italiane: I refuzuar nga Inzaghi, i refuzuar nga Sarri, Muriqi largohet nga Lazio

Vedat Muriqi do të largohet nga Lazio dhe kjo është e qartë, sipas gazetës së përditshme italiane Corriere dello Sport, pasi sulmuesi i Kosovës ka dështuar të bindë me futbollin e tij në kryeqytetin italian.

Përfaqësuesi i Kosovës Muriqi nuk ka luajtur pothuajse fare futboll për Lazion nën drejtimin e trajnerit Maurizio Sarri këtë sezon.

Ai ishte përdorur shumë pak edhe nga ish-trajneri Simeone Inzaghi sezonin e kaluar dhe gjërat për të në Stadiumin Olimpik të Romës veçse janë përkeqësuar me ardhjen e Sarrit.

“Vedat Muriqi po largohet nga lazio, është e qartë tani. I refuzuar nga Simone Inzaghi, i refuzuar nga Maurizio Sarri”, shkroi të hënën gazeta italiane Corriere dello Sport.

Trajneri italian është në kërkim të një sulmuesi tjetër rezervë gjatë këtij afati kalimtar, sipas gazetës italiane, dhe tashmë i ka kërkuar drejtorit sportiv Igli Tare të punojë në këtë drejtim.

Për kosovarin interesim të madh ka shprehur Hull City në Championshp – kategorinë e dytë të futbollit në Angli.

Sulmuesi prizrenas i kushtoi Lazios 19 milionë euro kur u ble nga Fenerbahce në shtator 2020 dhe Lazio synon t’i fitojë këto para me shitjen e tij në janar.

Megjithatë, vlera e 27-vjeçarit në treg ka rënë në vetëm gjashtë milionë tani.

Rënia e tij e madhe është e kuptueshme kur merret parasysh fakti se Muriqi i ka luajtur vetëm 206 minuta futboll në Serie A në këtë pjesë të parë të sezonit 2021/22, duke e dhënë një asist por asnjë gol.

Trajneri Sarri ia ka dhënë atij vetëm një mundësi të luajë si titullar në ligë deri tani, ndërsa e ka përdorur 10 herë si zëvendësues të vonshëm. 27-vjeçari i bëri edhe tri paraqitje si zëvendësues në Ligën e Evropës dhe është ende në kërkim të golit të parë sezonal.

Sarri madje ka parapëlqyer të luajë me 9 fals edhe kur i ka munguar sulmuesi kryesor, Ciro Immobile, para se të luajë me kosovarin, të vetmin që mund ta zëvendësojë kokë më kokë italian në skuadrën e tij, transmeton GE.

Por Muriqi tregoi formë të mirë me Kosovën në kualifikime për Kupën e Botës 2022, duke i shënuar tri gola në tetë ndeshje gjatë këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *