Ademi e Zhegrova shpërndajnë dhurata për fëmijët me Down Syndrome

Fëmijët me sindromin down, që janë pjesë e shoqatës Down Syndrome Kosovo, janë gëzuar në prag të Vitit të Ri me dhuratat që kishte përgatitur Federata e Futbollit të Kososvës.

Ata morën fanellat e shallet e Kombëtares së Kosovës, si dhe takuan presidentin e Federatës, Agim Ademi, futbollistin Edon Zhegrova si dhe tifozët “Dardanët”.

Me këtë rast, Ademi tregoi që Federata e Futbollit të Kosovës do të jetë gjithmonë në përkrahje të shoqatës Down Syndrome Kosova.

“Sot është një simbolikë që janë edhe festat, por gjithsesi federata jonë do të jetë afër kësaj kategorie”, tha Ademi.

Po ashtu, gjatë shpërndarjes së dhuratave presidenti Ademi shfrytëzoi rastin që të tregojë se në bashkëpunim me Federatën turke të Futbollit, ku do të organizohet një turne në të cilin kjo kategori e shoqërisë, mund të zhvillojë aktivitetet e tyre.

“Bashkë me Federatën turke jemi duke e organizuar një turne, një stadium, një fushë stërvitore, ku e kemi pikërisht për këto kategori, dhe mund të vini dhe ta zhvilloni aktivitetin e juaj atje. Ajo në pranverë, besoj që në pranverë duhet të kryhet ajo fushë që veç e kemi filluar. Dhe kjo është lajm i mirë për ata që do të jenë pjesë e të gjitha garave”, tha presidenti i FFK-së.

Në fund, ylli i Kombëtares së Kosovës Edon Zhegrova iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku u shpreh gjithmonë në gatishmëri për të ndihmuar çdo fëmijë dhe institucion në vend.

“Gjithmonë jam i hapur për çdo institucion, për çdo fëmijë për t’i ndihmuar”, u përgjigj Zhegrova.

Krahas dhuratave të shpërndara, presidenti Ademi për Doën Syndrome Kosovo dhuroi kartela nga e cila kjo kategori e shoqërisë do të mund të tërheqë bileta aq sa i nevojiten për ndeshjet e radhës së Kosovës.

Të njëjtat dhurata morën edhe fëmijët në SOS Fshatin e Kosovës si dhe në shoqatën Handikos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *