Calhanoglu: Jam tek Interi falë një personi, jemi më të fortë se Milani

Hakan Calhanoglu është përshtatur për mrekulli tek Interi. Mesfushori ofensiv la Milanin në merkaton e verës për t’u transferuar te ngjyrat zikaltër të qytetit të modës.

Vendimi i tij shkaktoi zemërim të madh te populli kuqezi, teksa e pranon se ka kaluar një periudhë të vështirë. Në prononcimin e dhënë për mediet turke, 27-vjeçari falënderon trajnerin Inzaghi dhe “thumbon” Milanin.

“Më kanë pritur shumë mirë tek Interi, tani kam mësuar edhe gjuhën italiane. Kemi një skuadër të nivelit të lartë, mendoj se kemi një kontingjent lojtarësh më cilësorë se Milani.

Dua të falënderoj shumë Simone Inzaghin, ai insistoi shumë që të më kishte në skuadër. Sigurisht që transferimi tek Interi nuk ishte i lehtë, kalova një periudhë të vështirë.

Kisha shumë shkaqe të largohesha nga Milani, por ata nuk i kanë shpjeguar saktë”. Më pas një koment për golin në derbi dhe festën. “E dija që nuk do e kisha të lehtë të luaja derbin ndaj Milanit.

U përgatita shumë për atë ndeshje, por nuk e ndjeva veten në asnjë moment në presion. Penalltinë i gjuan Lautaro Martinez, më pas vij unë në hierarki. Shokët donin që të gjuaja unë, pasi gjuaj më saktë se Lautaro.

Unë isha i lumtur pasi shënova golin, sepse kisha vuajtur shumë“. Në fund një koment për Liverpool, kundërshtarin e Interit për një biletë në çerekfinalet e Champions League.

“Do të jenë sfida të vështira, pasi skuadra e Liverpool është shumë e fortë. Gjithsesi, në luajtëm shumë mirë kundër Real Madrid, në shtëpi dhe jashtë, edhe pse i humbëm të dy takimet.

Do i analizojmë me qetësi gabimet që kemi bërë kundër Realit. Jam shumë kurioz për sfidën ndaj Liverpool, mezi pres të luaj. Shpresoj që të kualifikohemi”, përfundoi fantazisti i Interit, autor i 6 golave dhe 8 asisteve në Serie A me zikaltrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *