FFK sot shpall më të mirët e vitit 2021, mësohet emri i futbollistit të vitit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) sot prej orës 17:00 do t’i shpall laureatët e vitit 2021 përmes një manifestimi ku do të marrin pjesë vetëm më të mirët që do të shpallen, por jo edhe mysafirë të tjerë, shkaku i masave në fuqi për mbrojtje nga Covid-19.

Ndërkohë, Gazeta Express mëson se çmimin kryesor, futbollist i vitit, do ta fitojë ylli i Kombëtares së Kosovës, kapiteni Amir Rrahmani, i cili po kalon formë fantastike në kampionatin italian me Napolin, ndërkohë te ekipi i “Dardanëve” është bërë lider skuadre.

Rrahmani i ka zhvilluar 20 ndeshje këtë sezon, respektivisht 1.598 minuta të luajtur. Ndër të tjera, i ka realizuar edhe dy gola në fanellën e Napolit.

Amiri ishte transferuar në Napoli pas eksperiencave pozitive në Dinamo Zagreb dhe në Verona. Ai është bërë njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm te Napoli, skuadër kjo që po lufton për titull të kampionit në Serie A, ku aktualisht është e dyta me 39 pikë, vetëm katër pikë prapa kryesuesit, Interit.

Vetëm pas tri-katër xhirosh në kampionatin italian, Rrahmani shpejt kishte filluar të zë vend në skuadër, duke e arsyetuar çdo minutë loje dhe kështu është bërë shtyllë e fortë e Napolit, duke ia zënë vendin në formacionin kryesor Kostas Manolas, i cili u detyrua të kthehet në Greqi, pasi vendin në Napoli ia zuri ylli kosovar.

Rrahmani është pjesë tejet e rëndësishme edhe në Kombëtaren e Kosovës, mbrojtja e së cilës varet jashtëzakonisht prej tij.

FFK do t’i shpall më të mirët edhe nga Superliga e Kosovës në futboll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *