Reja befason: Dëshira ime në Ligën e Kombeve është të mbijetojmë

Edi Reja ka vendosur si objektiv mbijetesën në Ligën B në Ligën e Kombeve. Pas shortit që e pa Shqipërinë të vihej në një grup me Rusinë, Izraelin dhe Islandën, Reja theksoi për RTSH se ishte e rëndësishme që skuadra të tregonte nëse kishte bërë hapa para apo jo, pa menduar një kualifikim të mundshëm.

“Ndjesia e parë, duke marrë në konsideratë faktin që të mos binte Serbia apo Norvegjia e Suedi, them se Islanda është një skuadër e pranueshme.

Në përgjithësi jo keq. Gjithsesi janë skuadra të vështira se edhe Rusia ka humbur pak minuta nga fundi ndaj Kroacisë, është e fortë, më e forta e grupit. Izraeli po bën gjëra të rëndësishme, Islanda ka rinovuar shumë dhe nuk e di se çfarë do të gjejmë. Por për ne është test i rëndësishëm, të shohim nëse jemi përmirësuar e meritojmë kategorinë. Por mendoj se mund ta luajmë me këdo, do jenë ndeshje të vështira, janë transferta të gjata. Shpresojmë të mos jenë njëra pas tjetrës se do të ketë probleme të organizojmë udhëtimet.

Mendoj se Rusia është skuadra më e fortë, ka play off për Botërorin tani dhe do të luajë me Poloninë për të shkuar në Katar. Në këtë grup është më e forta. Me Izraelin ka pasur një eksperiencë Panuçi, kishte bërë një ndeshje të mirë atje po u mund. Janë ndeshje ku do të luajmë shanset tona. Por është e qartë që janë të gjitha të forta, janë të gjithë konkurrues, por sipas meje Rusia është më e forta e grupit.

Duka ka thënë “do të shohim si është si trajner”? (qesh) Duka është simpatik por problemet i kam unë se duhet shkuar në qershor në kondicion të shkëlqyer se atje do të luajmë shanset tona, se atëherë do të kemi katër ndeshje. Do të jetë e vështirë, uroj që të gjithë lojtarët të jenë në kushtet e duhura, duhet të kemi një grup të zgjeruar.

Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, jemi rritur, kemi ndërgjegjësim. Por duhet të përballemi me këto skuadra të cilësuara të forta. Jemi në Ligën B dhe tani do të përballemi me këto skuadra që të shohim nëse jemi rritur siç kemi treguar në tërë këtë kohë. Duke marrë në konsideratë që Duka thotë “të shohim këtë trajner”, unë do të mundohem të bëjmë maksimumin. Besoj shumë te ky ekip, nuk kam një lojtar vendimtar. Nëse punon si skuadër është e qartë që shpresoj te ketë ndjesi të mira. Kam ndjesi të mirë ndaj Shqipërisë, lojtarët besojnë te puna dhe kanë ndërgjegjësim se janë konkurrues me të gjithë këto skuadra.

Objektivi? Shpresoj të qëndrojmë në Ligën B, kjo është dëshira jonë. Do të luajmë shanset dhe për ne është një test i rëndësishëm dhe nga këtu do të bëjnë vlerësimet tona, nëse jemi rritur apo kthyer mbrapa”, tha Reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *