Sergio Aguero ka njoftuar i përlotur se është pensionuar nga futbolli, për shkak të telasheve në zemër.
Në një konferencë prekëse në Camp Nou, sulmuesi argjentinas Aguero njoftoi se ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë.
Aguero i jep fund karrierës me 427 gola në 796 ndeshje.
“Po e bëj këtë paraqitje për t’ju njoftuar se kam vendosur të mos luaj më futboll profesional. është një kohë shumë e vështirë”, tha Aguero në një konferencë për media në Camp Nou të mërkurën.
Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barçës kundër Alavesit më 30 tetor.
“Këtë vendim e mora për shëndetin tim. Rashë në duart e sigurta të stafit mjekësor dhe ata më thanë që gjëja më e mirë është të mos luaj më futboll”, shtoi ai.
Testet mjekësore gjetën se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.
“Jam krenar dhe i lumtur me karrierën time. Kur isha 5 vjeç fillova të ëndërroja për të luajtur futboll, për të qenë në elitë. Kurrë nuk kam menduar se do t’ia dilja për të luajtur në Evropë”, nënvizoi ai.
Aguero iu bashkua Barcelonës në verë si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester City, me të cilin i kishte mbaruar marrëveshja në qershor.
Ai i bëri vetëm pesë paraqitje për katalonasit në të gjitha garat, duke e shënuar një gol.
33-vjeçari është njëri prej sulmuesve më të mirë të shekullit 21 dhe një legjendë në Premierligë.
Aguero e nisi karrierën te Independiente në Argjentinë, para se t’i bashkohej Atletico Madridit në La Liga, duke i shënuar 101 gola në 234 paraqitje dhe duke e fituar Ligën e Evropës më 2010.
Ai pastaj iu bashkua Manchester City më 2011 dhe gjatë 10 viteve qëndrimi në Etihad u bë legjendë e klubit dhe e Premierligës, duke i fituar pesë tituj të Premierligës, një FA Cup dhe gjashtë trofe të ligës.
Aguero u largua nga City në verë si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 260 gola në 390 paraqitje, përfshirë 16 het-trika.