Chelsea nuk ka arritur më shumë se një barazim 3-3 me skuadrën ruse Zenit Shën Petersburg e cila ishte e fundit për fazën e grupeve dhe kështu e ka humbur epitetin e lidert në grupin H që tani i takon Juventusit pas fitores së tyre ndaj Malmos.
Ndeshja Zenit-Chelsea ishte mjaftë interesante e cila solli dy përmbysje të rezultatit brenda 90 minutave.
Chelsea kaloi në epërsi pas vetëm dy minutave lojë me golin e Timo Wernerit, por ende pa përfunduar pjesa e parë, Zeniti e përmbysi rezultatin duke shënuar dy gola në minutat 38’ dhe 41’ me anë të Claudinhos dhe Azmounit.
Por, në pjesën e dytë, skuadra angleze reagoi fuqishëm dhe e riktheu rezultatin në favor të saj me golat e Romelu Lukakut në minutën e 62’ dhe të Wernerit në të 85’-tën. Por kur po mendohej se fitorja do t’i takonte skuadrës së Thomas Tucjel, në skenë doli Erokhin i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 94’.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Juventusi ka fituar me epërsi minimale 1-0 ndaj skuadrës Suedeze Mlamo, ku golin e vetëm në këtë sfidë e realizoi Moise Kean në minutën e 18’.
Kështu, Chelsea vazhdon tutje në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve nga vendi i dytë në grupin H me 13 pikë, kurse Juventusi vazhdon tutje nga vendi i parë me 15 pikë.
Në Europa Ligë nga vendi i tretë shkon Zeniti, kurse Malmo mbetet jashtë garave evropiane.