Skuadra e Feronikelit është ekipi i vetëm i Superligës së Kosovës në futboll që është eliminuar nga Kupa e Kosovës në duelet e zhvilluara sot.
“Industrialistët” pësuan disfatë nga skuadra e Fushë Kosovës, duke mos arritur të kalojë as rrethin e parë.
90 minutat e rregullta të takimit u mbyllën 0-0, ndërsa u deshën penalltitë për të përcaktuar skuadrën që kualifikohet në rrethin tjetër.
Futbollistët e Fushë Kosovës u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe në fund iu gëzuan fitore 4-1 në penallti.
Feronikeli krahas Kupës së Kosovës, edhe në elitën e futbollit kosovar është duke kaluar momente jo të mira.
Skuadra e drejtuar nga Faruk Elshani renditet në pozitën e fundit me vetëm dhjetë pikë të grumbulluara.
Madje, në 16 ndeshje sa janë zhvilluar këtë edicion në kampionatin elitar të Kosovës, Nikli ka realizuar vetëm pesë gola.
Duke parë situatën dhe ecurinë e skuadrës, Feronikeli këtë edicion do të luftojë me “mish dhe shpirt” për t’i ikur rënies nga elita.
Kujtojmë se Feronikeli është tri herë fitues i Kupës së Kosovës në futboll që nga viti 2014.