Përfundimisht duket se futbolli ka rritur presionin në Spanjë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës i ka zhvilluar me këtë shtet të BE-së, janë marrë si shembull dhe janë përmendur deri edhe në parlamentin e Spanjës.
Ditë më parë atje floi deputeti i partisë kombëtare baske Aitor Esteban, i cili i kërkoi kryeministrit Pedro Sanchez të e njoh pavarësinë e Kosovës pasiqë Spanja tashmë është përballur me Kosovën edhe në futboll.
E pikërisht si një shtet i pavarur, Kosova kishte udhëtuar për në Spanjë në mars të këtij viti, për të zhvilluar ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Pavarësisht fushatës të cilën mediat spanjolle bënin kundër Kosovës, presidenti i FFK-së Agim Ademi kishte pohuar se Kosova refuzon të përballet me Spanjën pa respektuar simbolet e saj, e kështu edhe ndodhi.
Tetë muaj nga kjo ngjarje, Spanja duket se po bënë kthesën historike për ta njohur pavarësinë e Kosovës, të paktën kështu ka shkruajtur sot “The Objective” medium spanjoll. Sipas kësaj të fundit, Qeveria e Pedro Sánchez përgatit një kthesë historike në qëndrimin e Spanjës për Kosovën me një njoftim që do të përfshijë njohjen e parë de facto të këtij territori ballkanik që nga pavarësia e saj nga Serbia në vitin 2008. Sipas po të njëjtit medium, burime diplomatike sigurojnë se mund të jetë hapja e një zyre tregtare apo kulturore në kryeqytetin e Kosovës, por nga Zyra për Informim Diplomatik kanë thënë se këto opsione për momentin nuk janë në tavolinë.
E Sekretari i Shtetit për Bashkimin Evropian, Juan González-Barba, e bëri të qartë këtë të premte në një kolokium të Institutit Mbretëror Elcano mbi proceset e zgjerimit në Ballkan, se Spanja dëshiron të jetë “më e përfshirë” në rajon dhe se kjo strategji do të ishte e çalë nëse Kosova vazhdon të injorohet “plotësisht”, por poashtu pohoi se e njëjta nuk do ta njohë diplomatikisht Kosovën përderisa nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. González-Barba theksoi se ky vendim spanjoll “do të merret së shpejti dhe do të shpallet”, duke lënë të kuptohet se hapi diplomatik është i afërt.
Kujtojmë se Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.