Kryesia e Klubit të Futbollit Drenica ka dhënë dorëheqje për shkak të krizës financiare.
Faqja zyrtare e klubit nga Skenderaj ka njoftuar se kryesia e klubit ka dhënë dorëheqje pas situatës së krijuar në klub.
Në njoftim thuhet se kryesia ka dhënë dorëheqje si rrjedhojë e pamundësisë së financimit të klubit dhe pamundësisë për t’i përmbushur obligimet e tyre në klub.
Drenica gjithashtu ka ftuar të interesuarit për të investuar në klub me të vetmin qëllim, për ta çuar përpara atë.
Kryesia ka falënderuar Komunën e Skenderajt, bizneset, donatorët, sponsorët, stafin, lojtarët, punëtorët e klubit, tifozët dhe gjithë qytetarët e Skenderajit për mbeshtetjen gjatë kësaj kohe.
Drenica e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e garave në Superligën e Kosovës në futboll duke kryesuar për disa xhiro.
“Kuqezinjtë” pas 13 ndeshjeve në elitë kanë grumbulluar 20 pikë dhe renditen në vendin e katërt.