Kombëtarja shqiptare mbaroi rrugëtimin e saj në eliminatoret e Botërorit 2022 dhe do të marrë pushimet për njëfarë kohe. Ndërkohë, në datën 16 dhjetor të këtij viti, fiks një muaj më vonë, do të hidhet shorti i Ligës së Kombeve 2022- 2023.
Ky është viti i tretë që ky kompeticion organizohet dhe siparin do ta ngrejë në qershorin e ardhshëm. Ashtu si formatin e vjetshëm, UEFA Nations League do të ndahet në katër liga: A, B, C, D, ku në tri të parat do të kemi nga 16 ekipe të cilat do të ndahen në 4 grupe me nga 4 skuadra.
Ndërsa liga D do të ndahet në dy grupe, një me katër skuadra dhe një me tre. Gjashtë ndeshjet e para do të luhen nga qershori deri në shtator, për t’ia lënë më pas vendin Kupës së Botës “Katar 2022”. Sa u përket grupeve, katër ekipet që do të fitojnë grupin ku bëjnë pjesë, do të kalojnë në fazën finale. Aty do të përballen me njëra-tjetrën për të nxjerrë një fitues të vetëm.
Kombëtarja shqiptare ka një ecuri pozitive në Ligën e Kombeve. Në edicionin e kaluar Shqipëria ndodhej në Ligën C dhe arriti të fitonte grupin.
Kësisoj, duke qenë se e mbylli në krye, këtë edicion është ngjitur në Ligën B, ku edhe niveli i skuadrave është më i lartë. Në Ligën B marrin pjesë kombëtare si Suedia, Ukraina, Rusia apo Sllovenia.
Gjithçka do të zbulohet më datë 16 dhjetor, kur Shqipëria do të njohë edhe rivalët që do të ketë në grup.
Ndërsa lidhja mes këtij kompeticioni dhe Evropianit 2024, mundësia për të shkuar në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve nuk është bërë akoma e ditur, pasi UEFA nuk ka publikuar formatin e “Euro 2024”.
Ky informacion pritet që të zbulohet në datën 16 dhjetor, kur hidhet edhe shorti i grupeve. /Panorama