Shqipëria luan nesër ndeshjen e fundit të fazës eliminatore të Botërorit Katar 2022. Në “Air Albania” presim Andorrën (20:45), sfidë që duhet fituar për të harruar disfatën me “manita” në Angli dhe për të siguruar përfundimisht vendin e tretë në grupin I.
Trajneri i kombëtares kuqezi, Edi Reja preku disa tema gjatë prononcimit për mediet, duke nisur nga gjendja e lojtarëve, humbja 5-0 në “Ëembley”, dueli ndaj Andorrës dhe kritikat e shumta të marra pas paraqitjes në ishull.
“Morali nuk ishte i mirë pas humbjes 5-0. Mendonim se do paraqiteshim më mirë, por Anglia është një skuadër me shumë vlera në çdo drejtim. Ekipi aktual është një nga kombëtaret më të forta që kanë pasur në histori, kanë lojtarë plot cilësi dhe pankinë të fortë.
Ata ishin shumë të motivuar dhe agresivë kundër nesh, nuk na lanë të dilnim në lojën tonë. E kemi harruar atë ndeshje, kemi biseduar me djemtë. Të gjejmë motivimin e duhur për ta fituar ndeshjen me Andorrën.
Andorra është përmirësuar, fituam vetëm 0-1 në fushën e tyre, e merituam fitoren por ishte e vështirë, më kujtohet edhe barazimi 2-2 ndaj Andorrës në Shqipëri, një nga ndeshjet e mia të para.
Është një ekip që na ka bërë gjithmonë të vuajmë. Duhet të kemi fokusin dhe përqendrimin e duhur. Kemi gabuar me Poloninë, por kemi treguar vlera në ndeshjet e tjera. Na duhet një sforco e fundit, për të mbyllur mirë këtë fazë kualifikuesesh.
Kemi punuar vazhdimisht edhe për të ardhmen. Mungojnë rreth 10 lojtarë, por duhet të shfrytëzoj në maksimum grupin që kam. Do zbresë në fushë një skuadër e motivuar.
Do të luajnë shumë lojtarë që nuk luajtën ndaj Anglisë. Duhet të shfaqemi vendimtarë, Andorra mbyllet shumë mirë dhe nuk është e thjeshtë të luajmë ndaj tyre.
Duhet të përdorim trurin, të futemi në fushën me mentalitetin e duhur dhe të shfaqemi të duruar. Duhet t’i evitojmë situatat problematike. Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të sigurojmë rezultat pozitiv”.
Më pas një koment për Armando Brojën, i cili përfundoi në tribunë në “Ëembley”. Ai kërkoi të kthehej në klub për t’u kuruar si pasojë e dhimbjeve në kavilje. Zv trajneri Salihi e ka parë, ka pasur kontakte të vazhdueshme, stafet mjekësore kanë pasur komunikim.
Ai erdhi një ditë përpara ndeshjes, por kishte sërish dhimbje dhe na kërkoi të kthehej në klub për të vazhduar rikuperimin, kaq e thjeshtë është, nuk ka probleme të tjera. Doja ta përdorja ndaj Andorrës, por lojtari ndjeu sërish probleme në kavilje”.
Si ia dalim nesër? “Duhet të kemi një skuadër të ekuilibruar, të motivuar dhe të kujdesshme. Djemtë janë të motivuar, e dinë që fitorja bën që ta mbyllim grupin me 18 pikë, rezultat i jashtëzakonshëm. Nuk kemi arritur më parë një nivel të tillë pikësh në eliminatore.
Më mbetet pak peng humbja me Anglinë, por ndaj tyre mund të humbasësh. Ndeshja kyç ishte ndaj Polonisë, tani ta mbyllim me fitore këtë fazë eliminatoresh.
Deri tani kemi bërë mirë, por duhet të vazhdojmë të bëjmë mirë, Ndeshja me Andorrën është e rëndësishme. Mund të bëjmë 6-7 ndryshime. Kam besim të madh te lojtarët, ata që do luajnë dhe ata që do qëndrojnë në pankinë.
Kemi pasur probleme, me dëmtime lojtarësh apo infektime me Covid. Pësuam dy dëmtime të shpejta ndaj Anglisë. U komplikua situata, por kam një grup me lojtarë cilësorë. Shpresoj të mos kemi probleme nesër. Ata që do të luajnë nesër, të jeni të sigurt që do të jenë në 100% e tyre”.
Në fund tifozët. Euforia ka rënë dhe kritikat janë shtuar. “Apeli për tifozët? Kemi luajtur kundër lojtarëve që 4 prej tyre luajnë titullarë te United, 4 te Chelsea, 2 janë titullarë te Tottenham, ka te Liverpool.
Anglia ka titullarë edhe në stol. Na vjen keq për humbjen 5-0, të gjithëve na erdhi keq por ne mbërritëm në momentin tonë më të keq. Kishte lojtarë me Covid, të tjerë nuk po luanin me skuadrat e tyre.
Anglia ishte në 100% e tyre. E patë si filloi ndeshja? Ata na mbytën, kanë kualitet të jashtëzakonshëm, Anglia mund të fitojë Botërorin, ndërsa ne kritikojmë Shqipërinë për humbjen 5-0.
Sigurisht që na vjen keq, i kuptoj kritikat, por u përballëm me mostra, me një kundërshtar në formë. Nuk duhet të harrojmë se kundër kujt luajtëm, por mund të paraqiteshim më mirë. Le të jemi më objektivë.
Anglia luajti në maksimum kundër nesh, Andorra për ne bëhet ndeshje që duhet fituar. Pengu është ndeshja me Poloninë, po të mos kishim aq shumë mungesa do të ishte një histori ndryshe.
Le të mendojmë për ndeshjen e nesërme, kam 16-17 lojtarë, kam ftuar Muçin, Çokajn dhe Seferin. Nuk kemi pasur fat, por duhet të jemi objektivë dhe të qëndrueshëm. Le të mendojmë për ndeshjen me Andorrën”, përfundoi trajneri italian i kombëtares.