Dhjetë fitore dhe dy barazime, vendi i parë në Serie A bashkë me Napolin dhe Stefano Pioli ka merita të mëdha në këtë ecuri fantastike të Milanit në kampionat.
Trajneri i kuqezinjve ka folur pas fitimit të çmimit “Liedholm 2021”.
Te Milani ndihet për mrekulli dhe shpreson të qëndrojë sa më gjatë në Milanello.
“Uroj që të qëndroj sa më gjatë te Milani. Kam një ndjenjë pozitive që nga dita e parë, kam krijuar raporte të shkëlqyera me të gjithë. Ndihemi mirë së bashku, të gjithë po shkojmë në të njëjtin drejtim, kjo është thelbësore.
Unë trajner kombëtareje? Ndoshta në të ardhmen, por tani dua të vijoj të punoj në fushë. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është të jesh gjithmonë vetvetja.
Unë jap gjithçka nga vetja në punën time. Në futboll nuk është kurrë e thjeshtë të gjesh ekuilibrin e duhur. Ky Milan është i ri, skuadra ka nevojë për kohë për t’u rritur, por edhe për të gabuar që të rikthehet skuadër e madhe”.
Trajneri i “Djallit” ndalet më pas edhe te Sandro Tonali, mesfushori i talentuar italian, i cili po zhvillon një sezon shumë të mirë në aspektin personal.
“Sandro është një talent i madh, ka gjithçka për t’u bërë një lojtar i madh dhe një flamur i Milanit”. Në fund një koment në lidhje me ndryshimet e ndodhura në futboll dhe profesionin e tij.
“Futbolli ka ndryshuar shumë. Të duhet të shfrytëzosh çdo moment për të rritur e përmirësuar lojtarin, në aspektin individual dhe kolektiv.
Nuk është kurrë e thjeshtë të luash çdo tre ditë, sidomos në nivelin mental. Për fat të mirë, unë drejtoj një skuadër që ka dëshirë të jashtëzakonshme për të bërë mirë”, theksoi Pioli.