Portieri i Milanit, Ciprian Tatarusano, ka zbuluar se e kishte studiuar Lautaro Martinezin, pasi e priti goditjen e sulmuesit të Interit nga pika e bardhë për t’ia siguruar skuadrës së vet një barazim 1:1 të dielën.
Tatarusano ishte heroi i Milanit në barazimin 1:1 me Interin në derbin “Della Madonnina”, pasi e priti penalltinë e Lautaros në San Siro.
Hakan Calhanoglu e kaloi Interin në epërsi kur shënoi nga penalltia në minutën e 11-të, të cilën e fitoi vetë në një duel me Franck Kessie.
Por Milani i buzëqeshi fati shumë shpejt, pasi Stefan de Vrij shënoi me kokë në portën e vet në minutën e 17-të, pas një harkimi nga Sandro Tonali.
Skuadra e Simone Inzaghit e pati mundësinë ta kthente epërsinë, kur Matteo Darmian e u pengua në zonë dhe gjyqtari dha penallti. Por Ciprian Tatarusano e priti penalltinë e Lautaro Martinezit në minutën e 27-të.
“E kam studiuar me kujdes Lautaron bashkë me stafin tim, sepse ai është i pari që i gjuan penalltitë te Interi. Sa për Calhanoglun, e njoh mirë atë, por problemi është se edhe ai më njeh mua mirë”, tha Tatarusano pas ndeshjes.
Ky barazim nënkupton se Milani ngel në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta me liderin Napoli, 32, ndërsa Interi mbetet i treti me 25 pikë.