Bota e futbollit me sytë nga “Old Traffoprd”, ku mesditën e sotme në orën 13:30 do të luhet derbi i Manchester United dhe City.
Dy skuadrat vijnë me pretendime të mëdha këtë sezon dhe përballja premton një 90-minutësh spektakolar, me ‘djajtë e kuq” që kanë rigjetur qetësinë pas fitores 0-3 në Londër ndaj Tottenhamit.
Për Ronaldon me shokë, kjo do të jetë përballja e parë me tifozët në “Old Trafford”, që prej asaj humbjeje të turpshme 0-5 ndaj Liverpoolit pasditen e 24 tetorit dhe njëkohësisht mjaft e rëndësishme për pretendimet e “djajve të kuq”.
Aktualisht të besuarit e Solskjaer janë 8 pikë larg Chelsea kryesues dhe një humbje në derbi mund at thellonte edhe më shumë këtë distancë, duke nxjerrë përfundimisht nga gara për titull ‘djajtë e kuq” të Manchesterit, të cilët do të kenë presionin mbi vete nesër.
Në një situatë më të qetë është City i Guardiolës, që gjithsesi ka mbetur 5 pikë larg Chelsea dhe sigurisht që nuk do të donte një tjetër humbje, aq më tepër në derbi, ku disfata kushton edhe në aspektin psikologjik.