Xhiroja e 13-të e BKT Superligës së futbollit do ta sjellë edhe duelin tjetër të madh, Gjilani – Prishtina
Xhiroja e 13-të e BKT Superligës së futbollit do t’i sjellë dy përballje të mëdha.
Dueli kryesor do të zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani e pret Dritën.
Ky njëherësh do të jetë një ballafaqim direkt për vendin e parë në tabelë.
Aktualisht, lidere është Drita, kurse therandasit kanë rrëshqitur në vend të dytë.
Kjo pa dyshim do të jetë njëra prej ndeshjeve më të mëdha të pjesës së parë të sezonit, shkruan GE.
Të dyja skuadrat kanë mundësi të nxjerrin pikë nga ky takim. E një tjetër lojë e madhe e fundjavës është edhe ajo në mes të Gjilanit me Prishtinën.
Gjilanasit gjenden në vendin e tretë dhe me një fitore eventuale dhe një barazim në Suharekë, mund ta marrin primatin.
Nga ana tjetër, Prishtina po ashtu ka nevojë për pikë për të mbetur në hap me skuadrat e epërme të tabelës.
Drenica po ashtu synon ta vazhdojë formën e mirë të këtij sezoni me një fitore në shtëpi ndaj Ulpianës.
Ndërkaq, Llapi do të ketë punë të vështirë në vizitën që do t’ia bëjë Malishevës.
Llapjanët kanë ngritje të formës në xhirot e fundit e debutuesi i Superligës ka rënie, pas fillimit të furishëm.
Dukagjini ndërkohë do të mundohet t’i mbajë pikët në shtëpi pas duelit që do ta ketë me Feronikelin.
Tri ndeshje do të luhen të shtunën e dy të tjera të dielën.