Bodo/Glimt i ka treguar Mourinhos se faji s’ka qenë të futbollistët në sfidën e parë, pasi arriti t’i nxjerrë pikë Romës edhe në “Olimpico”, madje kishte shanse shumë, shumë të mira që edhe të fitojë.
Sfida që u zhvillua në “Olimpico” dhuroi spektakël për të gjithë të pranishmit, ku pati aksione të shumta dhe lojë të bukur për 90 minuta, e cila u mbyll me katër gola të shënuara, 2-2, raporton Gazeta Express.
Lojën e nisën më mirë mysafirët, dhe goli i epërsisë erdhi në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 45’, Ola Solbakken i shokoi vendasit, duke heshtur një stadium të tërë.
Vendasit reaguan në pjesën e dytë, duke shënuar për 1-1 në minutën e 54’.
Stephan El Shaarawy arriti që të shënojë për Romën.
Pak minuta më vonë, mysafirët rikthyen sërish epërsinë.
Erik Botheim ishte ai që i shokoi vendasit duke realizuar për 2-1 në minutën e 65’.
Deri në fund, Roma kërkoi shumë golin dhe arriti të gjejë vetëm të barazimit për 2-2, në minutën e 84’, shënoi Ibanez.
Ky barazim me rivalin direkt e lë Romën në pozitën e dytë në Grupin C me shtatë pikë, një më pak se Bodo/Glimt.
Për humbjen turpëruese në sfidën e parë, Jose Mourinho i thumboi futbollistët rezervistë që kishte inkuadruar, sipas të cilit nuk ishin në nivelin e Romës, dhe madje nuk janë ende, por sonte, kë do të fajësoj Mourinho, pasi ky barazim është si një humbje për Romën, sidomos kur dihet që lojtarët që donte Jose, i kishte të gjithë në 11-she startuese.