Liverpooli dhe Interi kanë shënuar fitore në kuadër të xhiros së katërt në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
“Të Kuqtë” fituan derbin e Grupit B ndaj Atletico Madridit me rezultat të pastër 2-0 në stadiumin “Anfield”.
Diogo Jota dhe Sadio Mane ishin dy golashënuesit që i dhanë pikët e plota skuadrës së Jurgen Klopp.
Jota realizoi në minutën e 13-të, ndërsa Mane në të 21-tën.
Kësisoj, Liverpooli renditet i pari me 12 pikë, ndërkohë që Atletico Madridi ka katër pikë në pozitën e tretë.
Në takimin e zhvilluar në Moldavi, Interi ka arkëtuar pikët maksimale ndaj Sheriff Tiraspolit me shifrat 1-3.
“Neurazzurrët” realizuan plot tri herë për tri pikë në udhëtim në kuadër të Grupit D.
Brozoviq në minutën e 54-të, Skriniar në të 66-tën dhe Sanchez në minutën e 82-të ishin autorët e golave të kësaj fitore për “zikaltrit”.
Golin e “nderit” për Sheriffin e shënoi Traore në minutat e fundit.
Interi me këtë fitore ngritet në pozitën e dytë me shtatë pikë, derisa Sheriffi bie një vend më poshtë me një pikë më pak.