Të gjithë adhuruesit e sportit më të dashur në botë, futbollit, sot nuk duhet të planifikojnë asgjë përveç se qëndrimit para ekraneve televizive. Kjo për shkak se kjo ditë është e stërmbushur me ndeshje derbi duke filluar që nga Superliga e Kosovës edhe e deri te derbi më i madh në botë në nivel klubesh ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit, i njohur ndryshe si “El Clasico”.
Gjithçka fillon në orën 13:30 kur në kuadër të javës së 11 të Superligës së Kosovës në Suharekë do të ballafaqohen kampioni aktual i Kosovës Prishtina dhe Ballkani, përcjell KosovaPress.
Ballkani aktualisht është në vendin e tretë në tabelë me 18 pikë, vetëm dy më pak se lideri i tabelës Gjilani, kurse Prishtina është e pesta me 13 pikë por që e ka gjetur ritmin e rezultateve pozitive pas një fillimi shumë të dobët të këtij edicioni, andaj kjo ndeshje pritet të ofrojë spektakël në futbollin vendor.
Futbolli evropian do të prekë majën në orën 16:15 kur në stadiumin “Camp Nou” ballafaqohen Barcelona dhe Real Madridi në klasiken spanjolle. Janë vetëm dy pikë diferencë ndërmjet këtyre dy gjigantëve spanjoll në të mirë të skuadrës së Carlo Ancelottit që renditet ne vendin e tretë kurse ajo e Ronald Koemanit është e shtata me 15 pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura.
Më tutje, nga ora 17:30, Premier Liga e Anglisë sjellë derbin e paparashikueshëm ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, ndeshje kjo e cila zhvillohet në “Teatrin e Ëndrrave”. Do të jetë kjo një sfidë testuese për fuqinë e këtyre dy klubeve në rrugën drejtë titullit në këtë edicion garues. Liverpooli renditet në vendin e tretë me 18 pikë, kurse Manchester United në të gjashtin me 14 pikë.
Futboll spektakular, cilësor dhe të paparashikueshëm sot ofron edhe liga italiane Serie A që sjellë dy ndeshje. E para zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Olimpico”, aty ku do të ballafaqohet Roma me liderin e tabelës Napolin, skuadër e cila ende nuk di se çfarë është humbja në këtë edicion në Serie A, dhe nga tetë ndeshje ka tetë fitore. Nga ana tjetër, Roma nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho është treguar kompakte në këtë fillim të sezonit duke mbledhur 15 pikë pas tetë ndeshje dhe renditët ne vendin e katërt në tabelë.
Vetëm dy orë pas sfidës ndërmjet Romës dhe Napolit, hapet arena tjetër e madhe e futbollit Italian e quajtur “Giuseppe Meazza”, aty ku nga ora 20:45, Interi e pret rivalin e përbetuar Juventusin. “Nerazzurët” e shijuan humbjen e parë javën e kaluar nga Lazio dhe kërkojnë rikthimin te fitorja, kurse “Zonja e Vjetër” e ka filluar ngritjen në tabelë pas një fillimi katastrofal të sezonit 2021/22. Interi ka vetëm tri pikë më shumë se Juventusi pas tetë ndeshjeve.
Një sfidë gjithashtu shumë interesante e garanton edhe ballafaqimi ndërmjet Marsejës dhe PSG-së në kuadër të xhiros së 11 të Ligue 1 me fillim nga ora 20:45. Skuadra e Mauricio Pochettinos ka dhjetë pikë më shumë se Marseja që renditet në vendin e tretë, por kjo nuk I zvogëlon pritjet nga kjo ndeshje sepse spektakli në ballafaqimin e këtyre dy rivalëve asnjëherë nuk ka munguar.
Pra ja edhe njëherë oraret e fillimit të këtyre superndeshjeve:
13:30 Ballkani – Prishtina
16:15 Barcelona – Real Madrid
17:30 Manchester – United-Liverpool
18:00 Roma – Napoli
20:45 Inter – Juventus
20:45 Marsejë – PSG