Trajneri i Shqipërisë Edy Reja foli pas humbjes me Poloninë ku sigurisht që dukej i zhgënjyer për ndeshjen pasi e pranoi se ishte shumë vendimtare.
“Ne po dorëzoheshim fizikisht sepse ata ishin më konstant, do bëja zëvendësimet dhe u vonuam sepse doja të ndryshoja edhe Baren sepse nuk ishte mirë. Mëkat goli i tyre sepse bëmë ndeshje të mirë, po luanim si të barabartë me ta edhe pse janë të fortë fizikisht. U penalizuam shumë në këtë ndeshje nga disa episode. Ndoshta nuk e meritonim një humbje të tillë, kishim mungesa që nuk them se janë titullarë sepse janë të gjithë njësoj por janë shumë të rëndësishëm”.
Ai ka shtuar se nuk ankohet për mungesat e rëndësishme të skuadrës dhe ka shtuar se kjo ndeshje kishte një rëndësi shumë të madhe.
“Nuk qahem dhe nuk gjej justifikime. Këtu janë 25 lojtarë, luan njëri ose tjetri dhe zgjedhjet janë bërë. Kjo ishte ndeshja më e rëndësishme, ajo që do të vendoste shumë. Më vjen keq që nuk kishim shumë alternativa por duhet të them që bëmë ndeshje të madhe dhe falenderoj tifozët për atmosferën. Mund të bënim diçka të madhe”, ka shtuar Reja.
Dy ndeshjet e fundit të kësaj kampanje Shqipëria i zhvillon kundër Andorras dhe Anglisë.