Rikthehen stadiumet e tejmbushura për një ndeshje të Kombëtares. Shqipëri-Poloni, që do të luhet nesër në orën 20:45 në “Air Albania”, do të ketë plot 22 mijë tifozë të pranishëm. Biletat e hedhura në treg për këtë takim janë shitur të gjitha dhe kjo është konfirmuar zyrtarisht edhe nga FSHF.
shqiperi france
Vetë presidenti Armand Duka, i pyetur në lidhje me këtë interesim të jashtëzakonshëm, konfirmoi se është marrë leje nga qeveria sa i përket kapacitetit, në një kohë që Ministria e Shëndetësisë lejonte vetëm 30%. “Biletat janë shitur 100%, por në raste të tilla janë pak edhe 220 mijë vende.
Këto janë mundësitë e Shqipërisë dhe pa dyshim që do të detyrohen të bëhen stadiume më të mëdha me këtë brez që po vjen. Na është dhënë leja për të pasur stadiumin plot”, është shprehur Duka pas ndeshjes në Hungari.
Ndërkohë, “Panorama Sport” në një vëzhgim të bërë për biletat, duke iu referuar çmimeve zyrtare që FSHF i ka shitur për të gjitha tribunat në “Air Albania”, rezulton se do të ketë një fitim rekord.
Në llogaritjet totale për rreth 22 mijë bileta të shitura, institucioni i futbollit do të arkëtojë të paktën 500 milionë lekë të vjetër. Që prej marsit të vitit 2020 stadiumet kanë qenë të mbyllura dhe më pas janë hapur me një kapacitet deri në 30%, duke ndikuar direkt në uljen e të ardhurave të klubeve dhe vetë FSHF-së për ndeshjet e Kombëtares.
Tashmë që institucioni i futbollit ka marrë një leje speciale nga autoritetet shtetërore, tifozët do të jenë si lojtari i 12-të në ShqipëriPoloni. Për herë të fundit që “Air Albania” ka qenë i tejmbushur, është luajtur Shqipëri-Francë në fundin e vitit 2019 dhe më pas derbi Tirana-Partizani, ku pati gjithashtu mbi 20 mijë tifozë.
100 TIFOZË NË HUNGARI
Hungari-Shqipëri u luajt të shtunën në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest pa praninë e spektatorëve vendës. UEFA e kishte pezulluar fushën për shkak të sjelljes raciste në ndeshjen ndaj Anglisë në shtator. Megjithatë, në shkallët e impiantit pati rreth 100 tifozë shqiptarë, ku shumica e tyre ishin pjesëtarë të delegacionit që shoqëronin Kombëtaren në Hungari.
FSHF kishte ftuar edhe presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, por gjithashtu biznesmenë dhe politikanë të ndryshëm. Fakt është se gjatë ndeshjes u dëgjuan disa herë thirrjet në mbështetje të kuqezinjve, duke ndikuar sadopak në fushë te futbollistët.