Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi thuhet se nuk është i kënaqur te Lazio dhe i ka kërkuar menaxherit të tij t’ia gjej një klub të ri, teksa në sfond menjëherë është shfaqur ish-skuadra e tij, Fenerbahce.
Muriqi u transferua verën e kaluar nga Fenerbahce te Lazio për një shifër të raportuar rreth 18 milionë euro.
Megjithatë, sulmuesi prizrenas ka dështuar t’i tregojë vlerat dhe shumicën e kohës ka qenë zgjedhje e dytë pas italianit Ciro Immobile.
Sipas mediumit turk Fotomac, Muriqi është i pakënaqur me këtë situatë dhe i ka kërkuar menaxherit të tij t’ia gjej një klub të ri.
Menaxheri i tij thuhet se ka kontaktuar menjëherë drejtuesit e Fenerbahces, duke ia ofruar shërbimet e sulmuesit prizrenas.
Klubi turk është i hapur për ta rikthyer Muriqin në Stamboll, pasi tentoi disa herë transferimin e tij në verë, por Lazio nuk ishte e hapur për të lejuar largimin e tij.
Edhe qëndrimi i trajnerit Vitor Pereira për Muriqin thuhet se është pozitiv dhe gjatë afatit të janarit mund të ketë të reja në aksion Romë-Stamboll.
Vlera e tregut 9 milionë euro
Fenerbahce thuhet se do t’i bëjë ofertë Lazios që të lejoj huazimin e Muriqit me opsion blerje nëse gjithçka shkon mirë.
Vlera aktuale e tregut e Muriqit, i cili ka një kontratë me Lazion deri në vitin 2025, ka rënë në rreth 9 milionë euro.
Kjo thuhet se do t’i japë një avantazh stafit të klubit turk.