Mërgim Vojvoda e ka shprehur krenarinë, nderin dhe pasionin për Kombëtaren e Kosovës, në një reagim në rrjetet sociale një ditë pas humbjes kundër Spanjës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës.
Mbrojtësi i Torinos luajti 90 minuta në një humbje dëshpëruese 2:0 të Kosovës në kualifikuesen e së mërkurës në Stadiumin Fadil Vokrri.
Kosova ka mundur shumë lehtë ta shkaktonte njërën prej tronditjeve më të mëdha në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2022 dhe njëkohësisht fitoren më të madhe në historinë e vet, por doli nga fusha duke e mbajtur kokën me duar dhe duke i qarë rastet e humbura.
Sulmuesit Vedat Muriqi dhe Milot Rashica ishin përgjegjës për shpërdorimin e rasteve të shumta një kundër një në një natë të pafat për verdhekaltrit.
Dosido, Vojvoda ndihet krenar dhe i nderuar që e djersit fanellën e kombëtares dardane.
“Pasion, Krenari, Nder”, shkroi 27-vjeçari në Facebook, i cili luajti titullar në të tri ndeshjet e Kosovës në shtator.
Kosova do t’i ketë edhe tri ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar 2022, por është e pashpresë dhe pa ndonjë gjasë për ta siguruar pjesëmarrjen në një Kupë Bote për herë të parë.
Dardanët janë në vendin e katërt në Grupin B me katër pikë, nëntë më pak se liderja Spanja dhe pesë më pak se vendi i dytë, Suedia.