Kosova do të kërkojë t’ia koklavitë sa më shumë punët Spanjës për kualifikim direkt në Kupën e Botës, kur të përballet me të sot në Prishtinë në një ndeshje kualifikuese të Grupit B.
Kombëtarja e Kosovës e pret Spanjën sonte në orën 20:45 në Stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin 2022.
Furia e kuqe do të kërkojë fitore me çdo kusht, e vetëdijshme se çfarëdo rezultati tjetër do të nënkuptojë humbjen e gjasave për vendin e parë në grup. Spanjollët do ta mbajnë një sy edhe kah Athina, ku Suedia përballet me Greqinë.
Spanja i ka 10 pikë në vendin e parë, një më shumë se Suedia në vendin e dytë, por i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se kjo e fundit. Prandaj, vendi i parë në grup nuk është i sigurt për furinë e kuqe.
Kosova, nga ana e saj, renditet e treta me vetëm katër pikë, pothuajse pa shpresa për kualifikim. Vendi i parë shkon direkt në Katar 2022, ndërsa vendi i dytë luan në play-off.
Trajneri i Spanjës Luis Enrique pritet të luajë me skemën e tij të zakonshme sulmuese 4-3-3, me Alvaro Moratan, Ferran Torresin dhe Sarabian në vijën e sulmit.
Enrique e lartësoi Kosovën, duke thënë se ajo meriton më shumë pikë seç ka dhe se do t’ia bëjë të vështirë punën ekipit të tij.
“Nesër do të jetë njëra prej ndeshjeve më të vështira të këtij grupi. Më pëlqen sesi luan Kosova. Ajo meriton shumë më shumë pikë sesa ka tani. Është ekip që ta koklavitë jetën”, ishte thënë Enrique.