Mesfushori 28 vjeçar kosovar u përjashtua me të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme në Joao Cancelo por ai thotë se ai ka bërë ndërhyrje më të rënda në Premier Ligë e që nuk është përjashtuar
Granit Xhaka thotë se ai ishte “brutalisht i befasuar” kur u përjashtua nga loja në pjesën e parë në ndeshjen e humbur të Arsenalit kundër Manchester City.
Xhaka u përjashtua me të kuq pas një ndërhyrje me taka lart me të dy këmbët në Joao Cancelo, 10 minuta para se të përfundojë pjesa e parë, derisa Arsenali po humbiste me rezultat 2-0.
Mesfushori u kritikua shumë për këtë ndërhyrje, e cila u bë në një kohë kur skuadra e tij po kalonte momente të këqija kurse City shënoi përsëri në minutat në vazhdim, dy gola, derisa në pjesën e dytë fitoi me rezultat 5-0.
Mirëpo, Xhaka insiston që ai nuk është dashur të përjashtohet me të kuq për atë ndërhyrje, duke insistuar se futbolli anglez është i famshëm për ndërhyrje edhe më të ashpra.
“Pas një starti aq të keq, ju kritikoheni. Kjo është normale dhe pjesë e lojës. Çdo lojtar duhet ta pranojë këtë”, ka thënë ai për agjencinë zvicerane të lajmeve të Keystone-SDA.
“Sa i përket kartonit të kuq: brutalisht i befasuar! Kjo në lidhje me Premier Ligën ku njerëzit vazhdimisht flasin për ashpërsinë e lojës në Angli”.
“Unë shkova në top 100 për qind dhe e mora karton të kuq. Ndërhyrja nuk u kontrollua nga VAR. Kam parë ndërhyrje edhe më të ashpra që madje nuk janë vlerësuar se janë ndërhyrje”.
“A po paragjykohem? Nuk e di – nuk dua as ta gjykoj kështu. Nuk dëshiroj të çmenden e të mendoj për këtë në vetvete. Nuk mund ta kthej pas këtë gjë. E tëra çfarë mund të bëjë është të shikoj përpara”.
Xhaka ishte përfolur për një largim gjatë verës nga Gunners, por në vend të kësaj ai nënshkroi zgjatje të kontratës në klub, e cila gjë u lajmërua nga vetë pronari i Arsenalit, Stan Kroenke në gusht.
28 vjeçari ka thënë se ai është i lumtur me qëndrimin e tij në Londrën Veriore, pavarësisht raporteve se ai ishte afër që t’i bashkohet Romës gjatë afatit të verës.
“U ktheva në klub pas pushimeve në një formë të shkëlqyer. Rinovimi i kontratës me dha një shtytje të re përpara”, tha ai. “Konsideroj se jam i lumtur me këtë – pavarësisht këtyre lajmeve, jam shëndoshë, e cila gjë është shumë e rëndësishme në fund”.
Skuadra e Mikel Artetas ku luan Xhaka është në fund të tabelës dhe ka pësuar tri humbje në fillim të sezonit.
Pas ndeshjeve ndërkombëtare, Arsenali shpreson të marrë pikët e para në Premier Ligë në këtë sezon ku presin në shtëpi Norwichin më 11 shtator. Një javë më vonë Arsenali do të luajë kundër Burnleyt në udhëtim.