Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshjet tjera të Kosovës në eliminatoret për Kampionatin Botëror që mbahet vitin tjetër në Katar.
Kosova në fillim të muajit shtator do t’i zhvillojë tri ndeshje të kualifikueseve, dy prej të cilave i luan në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Por, lista e lojtarëve dardanë të ftuar për këtë grumbullim ende nuk është publikuar.
I kontaktuar nga Express, drejtori sportiv i kombëtares, Muharrem Sahiti tha se nga mesi i javës së ardhshme lista do të jetë e gatshme.
“Po e presim selektorin kur e kompleton listën, por besoj kah mesi i javës së ardhshme”, tha Sahiti.
Fillimisht, “Dardanët” do të udhëtojnë për t’u përballur me Gjeorgjinë më 2 shtator, për t’u rikthyer më pas në tempullin “Fadil Vokrri”, ku do t’i luajnë dy ndeshje të mëdha.
Më 5 shtator e presin Greqinë, kurse më 8 shtator e presin fuqinë botërore, Spanjën.