Superliga e Kosovës renditet më lartë se tri liga të Ballkanit, ngritet në tri pozita

Pasi kampanja eliminatore për garat evropiane është drejt përfundimit, është publikuar ranglista e klubeve dhe shteteve evropiane pjesëmarrëse në kompeticione të ndryshme.

Eliminatoret e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës po shkojnë drejt fundit, andaj tashmë dihet edhe renditja e shteteve, raporton FrontOnline.

Në garat evropiane, sivjet morën pjesë edhe klubet nga Superliga e Kosovës. Prishtina si kampione e Kosovës mori pjesë fillimisht në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, ku fitoi turneun paraeliminator, derisa në rundin e parë u eliminua nga Fernecvarosi duke rënë në Ligën e Konferencës.

Në Ligën e Konferencës, djelmoshat e Zekirija Ramadanit kaluan rundin e dytë pa asnjë problem, derisa në rundin e tretë u eliminuaan nga kampioni i Norvegjisë, Bodo/Glimt, duke mbyllur aventurën evropiane me dinjitet. Nga ana tjetër, Drita dhe Llapi morën pjesë në eliminatoret e Ligës së Konferencës.

Në rundin e parë, Drita eliminoi Deçiqin, teksa në rundin e dytë, me mjaft vështirësi u eliminua nga gjiganti holandez, Feyenoord, ndërkaq Llapi pati aventurë më të dobët.

Skuadra e Tahir Batatinës u eliminua që në rundin e parë nga klubi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkupi për të debutuar në garat evropiane me humbje, por edhe me eliminim të hershëm.

Në renditjen e publikuar nga UEFA Calculator, Prishtina është skuadra nga Kosova më e suksesshme në këto eliminatore, kurse Llapi më e dobëta.

Gjithashtu, shihet një ngritje e theksuar e Kosovës në këtë ranglistë, duke kaluar në vendin e 38-të me një rritje në koeficient prej 57.14 përqind. Kosova në këtë ranglistë ka lënë mbrapa shtetet e Ballkanit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ndryshe, nga edicioni i ardhshëm, Kosova do të paraqitet në garat evropiane me katër skuadra.

Kampioni i Kosovës dhe tri skuadrat tjera në renditjen tabelore do të marrin pjesë në kompeticionet evropiane, të cilat janë të mirëpritura për klubet, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë të imazhit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *