120 milionë euro, kjo është shifra marramendëse që mund ta shtyjë Interin ta lërë të largohet Romelu Lukakun.
100 milion euro plus Marcos Alonso, kjo ishte oferta e parë e Chelsea për Romelu Lukakun.
Tani mësohet se Blutë mund të shtojnë edhe 20 milionë euro të tjera, ofertë që do të ishte vështirë e refuzueshme nga Interi.
Kampionët e Italisë kanë nevojë për para dhe nga ana tjetër do të bënin figurë të mirë nëse vetë Romelu Lukaku do të shtynte për t’u rikthyer te Chelsea.
Kuptohet që oferta e bërë e ka vënë Interin në pozitë, madje në Itali raportojnë se po mendojnë edhe për lëvizjet në sulm nëse Lukaku shitet te kampionët e Europës.
Njëri prej tyre është Duvan Zapata, një sulmues që e njeh mirë Serie A dhe garanton gola.
Atalanta, që është pranë afrimit të Tammy Abraham, mund të heqë dorë nga sulmuesi i tyre.
Tjetri është Joaquin Correa, të cilin trajneri Simone Inzaghi e njeh mirë për shkak se e ka pasur nën urdhra gjatë kohës që drejtonte Lazion.