Infrastruktura, VAR-i, shtimi i klubeve në Evropë dhe projektet humanitare, për gjitha këto flet numri një i FFK-së, Agim Ademi

Edicioni i ri në futbollin kosovar duket se do të vijë me shumë risi. Katër klube në garat ndërkombëtare, instalimi i sistemit VAR si dhe investimet në disa fusha të futbolli do ta bëjnë kampionatin tejet joshës dhe të luftuar shumë.

Megjithatë, ky nuk është synimi i vetëm i FFK-së, presidenti Agim Ademi në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë se ata kanë shumë projekte dhe shumë risi përmes të cilave synojnë të ngrisin sa më lartë nivelin e futbollit.

Deri në fillim në edicionin të ri ka kohë, megjithatë shohim se si nga ana e Federatës si nga ana e klubeve po bëhet një investim i madh në mënyrë që të kemi një kampionat shumë të fortë dhe cilësor.

“Vërtet po bëhet punë intensive dhe produktive e të gjithë sektorëve të FFK-së, me përkushtim, në mënyrë që sa më të përgatitur të hyjmë në kampionatin e ri. Na presin risi dhe jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet. Do të jetë një kampionat shumë i organizuar dhe atraktiv. I falënderoj të gjithë për përkushtimin dhe punën e mirë, si në FFK ashtu edhe te klubet, të cilat e kanë ngritur nivelin ekonomik dhe sigurisht dhe cilësinë”, ka thënë Ademi.

Superliga sivjet pa asnjë dyshim do të jetë tejet atraktive, kjo flas pjesëmarrjes së katër skuadrave në arenën ndërkombëtare. Të kujtojmë se në fillim të pranimit në UEFA e FIFA ishin vetëm dy ekipe në Evropë, më vonë numri shkoi në tri, ndërsa nga edicioni i ri do të jenë katra çka vërtet është një imazh i mirë për futbollin.

“Sigurisht që shtimi i një klubi në garat evropiane është sukses dhe mrekulli për klubet dhe futbollin tonë në përgjithësi. Kjo pa dyshim ndikon edhe në ngritjen e ekonomisë, në rritjen e cilësisë, por edhe renomenë dhe sigurinë e klubeve pjesëmarrëse. Kjo do të ndikojë natyrshëm edhe në mbarëvajtjen dhe atraktivitetin e kampionatit, sepse secili klub ka mundësi më shumë për dalje në Evropë dhe sigurisht se klubet e dinë rëndësinë e pjesëmarrjes në garat evropiane”, vlerësoi presidenti Ademi të mërkurën i cili vetëm një ditë më parë mori pjesë në një ceremoninë për të festuar progresin në ndërtimin e qendrës së re të “The Ideas Partnership” në Fushë Kosovë për të cilën FFK ishte urë lidhëse mes kësaj organizate dhe UEFA-s, duke i propozuar që fondacioni UEFA-Children Aëard i cili jepet për grupet e margjinalizuara, të vijë në Kosovë pikërisht për ndërtimin e kësaj qendre.

“Po, FFK është pjesëmarrëse në këtë projekt nëpërmjet UEFA-s, e cila e ka një fond për këto çështje humanitare dhe participon në projekte të tilla në vendet Evropiane nëse konkurrohet me projekte. Këtë herë UEFA e ka mbështetur projektin e FFK-së dhe jemi shumë të lumtur që UEFA deri më tani ka përkrahur çdo projekt që e kemi paraqitur”, ka thënë Ademi.

Padyshim njëra nga qeshjet më të ndjeshme në futbollin tonë vazhdimisht ka qenë ndarja e drejtësisë. Klubet jo rrallë i kanë akuzuar pikërisht këmishëzinjtë se po i marrin frenat e garës në dorë dhe ata po vendosin për fatin e shumë skuadrave. Për t’i minimizuar këto pakënaqësi dhe që ta kemi një ndeshje sa më të drejtë, në kampionatin e ri Kosova do ta ketë edhe sistemin VAR duke u futur kështu në mesin e pak shteteve në Ballkan që e kanë këtë sistem.

“FFK pas çdo kampionati bën përgatitje për kampionatin e ri dhe analizon gabimet dhe eventualisht dukurit e negative nëse ka pasur në kampionatin paraprak, prandaj edhe kemi filluar plotësimin e rregulloreve, riorganizimin e komisioneve, gjyqtarëve, kontrollorëve, delegatëve të ndeshjeve dhe me këtë rast për të minimizuar gabimet dhe dyshimet do të vendoset edhe sistemi VAR. Po ashtu në bashkëpunim me klubet do të rinovojmë edhe infrastrukturën e domosdoshme nëpër stadiume, kështu që FFK po e bën punën e vet në përpikëri për të pasur ekipe sa më të përgatitura dhe sa më profesionale në mënyrë që të kemi një fillim sa më të mbarë të kampionatit”, ka përfunduar Agim Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *