Kombëtarja e Mozambikut e ka befasuar Kombëtaren e Kosovës në futsall, duke e mundur me rezultat 2:1, në ndeshjen e fundit të Grupi A në kuadër të turneut kontinental të futsallit që po mbahet në Tajlandë.
Pas humbjes nga Uzbekistani dhe barazimit me Tajlandën, Dardanët vlerësoheshin favoritë për fitore përballë Mozambikut, e cila në dy ndeshjet e para kishte pësuar humbje, mirëpo në fushën e lojës ndodhi e kundërta.
Paraqitja e zbehtë e lojtarëve të Kosovës i dha mundësi Mozambikut që ta mbyll pjesën e parë me dy gola epërsi. Fillimisht shifrat i zhbllokoi Idelson Francisco në minutën e 4-t, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Mario Jona në sekondat e fundit të 20 minutave të parë.
Disavantazhi i papritur i dy golave bëri që nervozizmi tek Dardanët të rritej edhe më shumë në pjesën e dytë dhe si rrjedhojë nuk u arrit që të bëhej përmbysja e rezultatit, përveç se ngushtimit të disavantazhit me golin e Jeton Rukovcit në sekondat e fundit të ndeshjes.
Paraqitja e sotme e ka lënë tejet të zhgënjyer edhe përzgjedhësin Arben Simitçiu, i cili vlerësoi se lojtarët e tij në këtë takim e nënçmuan kundërshtarin.
“Jam shumë i zhgënjyer me rezultatin e sotëm sepse Mozambiku nuk është kundërshtar i cili mundet në rrethana normale të na mundë. Sot nuk kemi qenë neve vetvetja sepse kemi hyrë në lojë të shpërqendruar dhe me nënçmim të kualitetit të kundërshtarit”.
“Përkundër të gjitha udhëzimeve që ua dhashë lojtarëve para lojës pikërisht për të pasur kujdes ne nuk e nisem lojën si duhej dhe ashtu na shkojë deri në fund! Sidoqoftë, kjo ndeshje më shërbeu shumë si një test perfekt për ekipin që ta shoh paraqitjen e tyre në 3 lojë brenda 3 ditëve si dhe në kushte ekstreme fizike”.
“Ashtu siç i lavdërova djemtë për paraqitjen e shkëlqyeshme në dy ndeshjet e para kundër dy kundërshtarëve shumë më të fortë, sot do t’i qortojë për paraqitje të dobët. Nuk dua fare të justifikohem për këtë rezultat as për lojtarët e lënduar dhe ata me kartonë që nuk kishin të drejtë loje. Thjesht, sot duhej të kishim fituar”, ka thënë përzgjedhësi Simitçiu.