Nora Gjakova vazhdon të marrë shumë vlerësime e urime për titullin e kampiones olimpike. Ajo të hënën fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë në xhudo. Në finale, Nora fitoi ndaj francezes Sarah Leonie Cysique.
Në fakt, francezja u diskualifikua për teknikë të palejuar dhe Nora fitoi me “Ippon”.
Pos për suksesin sportiv, Nora vazhdimisht është shquar edhe për ferplejin e saj. Vlerësohet prej xhudisteve më korrekte.
Dhe, derisa po bëhej gati për një intervistë me KOHËN, të martën në arenën Nippon Budokan në Tokio, Norës i është afruar një zyrtar i lartë i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Bëhet fjalë për gjermanin Teodor Pop, menaxher i projekteve në IJF.
Ai e ka falënderuar përzemërsisht Norën. E ka uruar për suksesin më të madh të mundshëm në sport dhe e ka komplimentuar në emër të gjyqtarëve të IJF-së për ferplejin.
“Po e prezantoj këtu qëndrimin e të gjithë referëve. Ju keni dhënë një shembull të vërtetë të ferplejit. Të gjithë e kemi parë që kur kundërshtarja juaj ka rënë në qafë, ju lehtë keni mundur ta shtyni dhe të fitoni me Ippon. Por në vend të kësaj jeni ndalë dhe nuk keni dashur të rrezikoni që ta lëndoni kundërshtaren. Kjo është vlerë shumë e madhe. Kjo prezanton shpirtin e xhudos. Jeni dëshmuar si sportiste shumë e madhe. Kemi diskutuar me gjyqtarët për këtë dhe të gjithë e çmojnë shumë atë që keni bërë. Dhe të gjithë të falënderojnë për këtë. Keni bërë gjënë e duhur dhe jo të gjithë e bëjnë atë. Por unë ju njoh dhe ju vërtetë jeni e tillë”, i është drejtuar Teodor Pop xhudistes kosovare.
Me modesti, Nora i është përgjigjur se e ka bërë atë që do ta bënte secili sportist, duke konfirmuar se ka mundur ta shtyjë dhe të rrezikojë të lëndojë francezen, por ka vendosur për ferplej. Madje në fotografi duket se Nora e mbanë francezen që mos të bie keq me qafë.
“E vërtetë që keni mundur ta shtyni, por edhe kështu keni fituar medaljen e artë olimpike e po ashtu keni fituar simpatinë e të gjithë gjyqtarëve dhe zyrtarëve. Të gjithë e kanë parë veprimin tuaj që përfaqëson nivelin më të lartë të sportivitetit. Kjo në fund është vlera më e çmuar e ne sportistëve, korrektësia. Neve na duhen sa më shumë shembuj që prezantojnë vlerat e sportit, vlerat e xhudos. Ju dje keni dhënë shembullin më të mirë të mundshëm. Të falënderoj përzemërsisht për këtë. Gjithnjë keni qenë xhudistja ime e pëlqyer dhe tani jeni edhe më shumë”, ka thënë Pop, që është pajtuar që biseda e tij të citohet nga KOHA.
Veprimi i Norës, që është kuptuar më së miri nga komuniteti i xhudos e më pak nga të tjerët, merr vlerë shtesë për faktin se prezent në arenën Nippon Budokan ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. Madje Bach ka prezantuar medaljet për xhudistet e kategorisë deri 57 kilogramë.
Nora ka pranuar se nuk ka dashur që finalja të përfundoi në atë mënyrë – me diskualifikim të kundërshtares. Kjo jo që nuk ul vlerën e suksesit të Norës, por i ka dhënë dimension shtesë, me korrektësinë e shfaqur. Këtë e thonë vetë drejtues të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.