Tokio 2020: Xhudistët e Kosovës i mësojnë kundërshtarët e parë në luftën drejt medaljeve olimpike

Ekipi olimpik i xhudos i Kosovës e ka mësuar sot shortin për garat që i nisin të shtunën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Shpresat e Kosovës për të fituar medalje olimpike në Japoni janë pikërisht te xhudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil.

Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.

Në raundin e dytë, ajo do të përballet me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil) dhe Harriet Bonface (Malavi).

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp, kategoria deri në 52 kg. Kelmendi është bartësja e katërt. Ajo garon më 25 korrik.

Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në raundin e dytë pret fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri) dhe Sanne Verhagen (Holandë). Nora garon më 26 korrik.

Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës, Loriana Kuka, kategoria -78 kg. Ajo në luftën e dytë përballet me fituesen e duelit mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi). Loriana garon më 29 korrik.

Kampioni i Evropës Akil Gjakova në raundin e parë përballet me Ahmed Ayash të Jemenit, ndërsa nëse kalon kundërshtarin e parë, në të dytën e pret Nils Stump i Zvicrës. Akili garon më 26 korrik.

Trajneri i ekipit olimpik të xhudos Driton Kuka pret që luftërat e para të jenë lehtë të kalueshme për xhudistët kosovarë.

“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.

Ekipi i xhudos u vendos dje në Fshatin Olimpik ku do të qëndrojë gjatë garave në Olimpiadë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *