Ka ardhur lajmi i shumëpritur dhe më në fund do të luhet një ndeshje me tifozë në Kosovë.
Llapi do të pres të enjten Shkupin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, në ndeshjen kthyese të UEFA Conference League.
Ka qenë faqja zyrtare e Llapit që ka njoftuar se ky takim do të zhvillohet me prezencë të tifozëve.
Vetëm 15 për qind e kapacitetit të stadiumit do të lejohet të jetë me tifozë.
Por për tifozët që duan ta shohin këtë takim nga afër, i nevojitet edhe një test PCR negativ.
Komunikata zyrtare e Llapit:
KOMUNIKATË ZYRTARE
Ndeshja e dytë e raundit të parë kualifikues së Ligës së Konferencës, ndërmjet KF Llapi dhe FC Shkupi, e cila zhvillohet më 15 korrik 2021 (E enjte) në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet me praninë e shikuesve.
Kryesia e klubit dhe trajneri Tahir Batatina pas shumë vështirësive kanë bërë të pamundurën për rikthimin e tifozëve në ndeshjen e dytë, ku mbështetja dhe prania e tifozëve është e domosdoshme për të kaluar në raundin tjetër kualifikues.
Biletat e ndeshjes do dalin në shitje nga dita e hënë. Përshkak të numrit të limituar të biletave, pasi kapaciteti momental i lejimit të tifozëve është 15%, biletat dhe procedura e shitjes do filloj në stadiumin ‘Zahir Pajaziti'(në postimin e radhës do njoftoheni për mënyrën e shitjes së biletave).
Poashtu bazuar në rregulloren e UEFA-s lidhur me organizimin e ndeshjeve me tifozë në kohë të pandemisë, biletat do të jenë vetanake pra me emër dhe mbiemër. Për t’u pajisur me biletë e domosdoshme është prania e një dokumenti identifikues.
Bazuar në manualin për pandeminë covid, tifozët e pranishëm kërkohet të kenë edhe testin PCR negativ për të hyrë në stadium.
Kryesia e klubit dhe kryetrajneri Tahir Batatina kërkojnë mbështetje nga të gjithë tifozët llapjanë, qytetarët e Podujevës, veçanërisht tifozeria “Legjendat” për t’i dhënë zemër skuadrës drejt kalimit tutje në garat e Ligës së Konferencave.
Kryesia e klubit kërkon nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe nga organi më i lartë i shtetit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të mbledh kabinetin e tij qeveritar për lejimin e së paku 30% të kapacitet të tifozëve që edhe ne t’i kemi çmimet e biletave sa më solide për tifozët e klubit.
Zyra për informim dhe media e KF Llapi