Elseid Hysaj mbyll një epokë pozitive me Napolin dhe fillon një tjetër në kryeqytet. Mbrojtësi ynë i kombëtares kaloi dje vizitat mjekësore te Lazio dhe nisi stërvitjen me të, pasi ka nënshkruar një kontratë 4+1 vjeçare me bardhekaltrit. Shkodrani kuqezi ritakohet me mentorin e vet, Maurizio Sarri. Megjithatë, nuk mund ta kthente fletën pa falënderuar të shkuarën e afërt napoletane, sepse bëhet fjalë për 6 vite, që e bënë të njohur në Serie A. Përmes rrjeteve sociale, Hysaj shkruan:
“Napoli, pas 6 vitesh erdhi momenti për t’u përshëndetur. Nuk mjafton një shkrim për t’i falënderuar të gjithë, por dua ta nis nga shokët e skuadrës. Më pas klubi, magazinierët, i madhi Tommaso, fizioterapistët dhe të gjithë profesionistët e tjerë. Falënderoj edhe njerëzit që kam njohur gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë qenë të gjithë të mrekullueshëm dhe më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim.
Një falënderim i veçantë shkon për tifozët dhe qytetin, që e bënë familjen time të ndihet si në shtëpi. Jeni qytet dhe tifozë specialë, iu jepni shumë atyre që veshin fanellën e Napolit. Dua t’u them që ka qenë nder për mua të vishja këtë fanellë. Kam dhënë shpirtin përgjatë 6 viteve radhazi, kam djersitur fanellën dhe jam përpjekur ta nderoj fanellën unike.
Më vjen keq që golin tim nuk e festova në një stadium të mbushur plot. Kjo nuk është një lamtumirë, por thjesht një mirupafshim. Siç thotë edhe shprehja e famshme: kur shkon te Napoli qan dy herë; kur mbërrin aty dhe pasi largohesh. Është plotësisht e vërtetë, kështu që do t’ju mbaj gjithmonë në zemrën time“.