Sot do të kompletohet rrethi i 16 ekipeve më të mira kombëtare në Euro 2020, me kampionen në fuqi, Portugalia, dhe Gjermaninë që do ta kërkojnë kualifikimin në ndeshjet e fundit në grup.
Ndeshjet e rrethit të fundit në dy grupet e mbetura, E dhe F, do të zhvillohen sot, për t’i mbushur edhe katër vendet e mbetura në rrethin e 1/8 së finales.
Suedia, e cila e ka siguruar kualifikimin, do të përballet me Poloninë, ndërsa Sllovakia me Spanjën, në ndeshjet e grupit E që nisin në orën 18:00.
Spanja do ta arrijë kualifikimin nëse fiton ndaj Sllovakisë. Por Spanja shkon edhe me barazim nëse Polonia nuk e mund Suedinë.
Sllovakia shkon tutje me një barazim, ndërsa Polonisë i duhet fitorja për ta arritur këtë.
Në Grupin F, që njihet si grupi i vdekjes, Franca e ka siguruar kualifikimin, ndërsa Portugalia, Gjermania dhe Hungaria do ta kërkojnë këtë në përballjet e fundit.
Gjermania kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Hungarisë.
Edhe Portugalia kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Francës.
Ndërsa Hungaria shkon tutje vetëm nëse e mposht Gjermaninë.
Ndeshjet e Grupit F zhvillohen në orën 21:00.