Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, i ka dërguar Real Madridit mesazh të qartë në lidhje me Kylian Mbappen, duke këmbëngulur se yllin francez nuk e ka ndërmend ta shesë e aq më pak të lejojë të largohet falas.
Ka kohë të gjatë që Real Madridi synon ta sjellë Mbappen në Santiago Bernabeu dhe së fundmi është duke u përfolur bujshëm se një gjë e tillë mund të ndodhë përfundimisht këtë verë.
Thashethemet për kalimin e mundshëm të francezit në kryeqytetin spanjoll u shtuan dukshëm duke e parë hezitimin e Mbappes për ta vazhduar kontratën me Parisin.
Marrëveshja e Mbappes me PSG-së mbaron në verën e vitit 2022 dhe nëse ai nuk e vazhdon atë, atëherë do të jetë i lirë të largohet nga kryeqyteti francez pas një viti.
Por shefi i gjigantit të Ligue 1 është i vendosur në qëndrimin e tij për të ardhmen e Mbappes.
Duke folur për të ardhmen e 22-vjeçarin, Al-Khelaifi tha: “Do të jem i qartë. Kylian Mbappe do të vazhdojë të qëndrojë këtu në Paris Saint-0Germain. Ne nuk do ta shesim atë kurrë dhe ai nuk do të largohet nga klubi si lojtar i lirë asnjëherë. E pamundur”.
Mbappe pritet të vendosë përfundimisht për të ardhmen pas Kampionatit Evropian 2020, ku do të marrë pjesë me Francën gjatë këtij muaji.