Hadergjonaj thyen heshtjen dhe tregon arsyen pse nuk erdhi në Kosovë: Jam në gjendje të rëndë

Florent Hadergjonaj është njëri nga futbollistët më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës në vitet e fundit.

Mbrojtës i djathtë, i majtë, mesfushor qendror, mesfushorë krahu e sulmues krahu. Thuajse të gjitha pozitat i ka luajtur deçanasi duke mos bërë zë e duke zbatuar në përpikmëri urdhrat e trajnerit.

Hadergjonaj njihet edhe për shpirtin e tij luftarak dhe grintën e madhe që ka në fushë, derisa në të gjitha ndeshjet që ka luajtur për Dardanët ka qenë ndër më të mirët.

Por për dy ndeshjet e muajit qershor ndaj San Marinos dhe Maltës ai nuk është ftuar nga trajneri Bernard Challandes.

Telegrafi ka kontaktuar mbrojtësin e Kasimpasas, i cili ka treguar edhe arsyen pse nuk do të grumbullohet me Kosovën për këto dy takime.

Ai nuk luajti as në ndeshjen e fundit në kampionatin turk shkaku i lëndimit që ka pësuar, derisa ekskluzivisht për Telegrafin ka treguar se nga çka po vuan.

“Për momentin ndodhem në Zvicër, ku jam duke u trajnuar me mjekun. Kam probleme me unazat e shpinës dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk kam luajtur as ndeshjen e fundit në kampioat me Kasimpasën”.

“Kam biseduar me trajnerin Bernard Challandes dhe i kam treguar për problemin që kam, por edhe klubi e ka njoftuar që jam i lënduar”, deklaroi Hadergjonaj për Telegrafin.

Nëpër rrjete sociale kanë qarkulluar shumë komente se disa nga lojtarët nuk janë grumbulluar për ndeshjet e qershorit shkaku i pushimeve.

Hadergjonaj u përgjigj edhe rreth kësaj teme, duke thënë se nuk vjen në shprehje që ndonjëherë ta refuzojë ftesën nga Kosova.

“Unë kam luajtur gjithmonë duke dhënë maksimumin për Kosovën, dhe nuk vjen në shprehje që ta refuzojë ndonjëherë ftesën e vendit tim, për asgjë e le më për pushime”.

“I uroj shokëve të Kombëtares ndeshje të mira, derisa unë do t’i përcjellë nëpërmjet televizionit dhe do të jem tifozi i tyre më i madhi”.

Ai krejt në fund tregoi se gjatë gjithë muajit qershor do të jetë në Zvicër duke marrë injeksione dhe terapi për tu shëruar dhe për tu bërë gati për edicionin e ri në Superlgiën turke.

“As nuk kam shkuar në pushime, as nuk e kam ndërmend të shkoj, pasi një muaj do të jem në Zvicër me terapi dhe injeksione. Gjithsesi forca Kosova”, ka deklaruar Hadergjonaj

26-vjeçari ka zhvilluar deri më tani ka zhvilluar 19 ndeshje me Kosovën, ku ka shënuar edhe një gol dhe ka asistuar në dy të tjerë.

Hadergjonaj ka një karrierë të pasur, pasi ka luajtur në Superligën e Zvicrës me Young Boys Bernin, në Bundesliga me Ingolstadin, në Ligën Premier me Huddersfieldin, derisa në dy edicionet e fundit po luan me mjaft sukses te Kasimpasa në elitën e futbollit turk, ku është njëri nga mbrojtësit më të mirë në ligë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *