Jo vetëm një muaj pa tifozë, Serie A mund të anulohet krejtësisht për shkak të Coronavirusit.
Qeveria italiane vendosi nëpërmjet një dekreti që të gjithë manifestacionet sportive të zhvillohen pa praninë e publikut deri më datën 3 prill, si masë për të shmangur përhapjen e coronavirusit, që ka alarmuar Italinë dhe botën mbarë.
Megjithatë mediat italiane raportojnë se Seria A është në rrezik, pasi aktorët kryesorë të Ligës kanë vendosur që të ndërpresin fare kampionatin, nëse një lojtar do të rezultojë pozitiv me virusin që në jo pak raste ka pasur pasoja fatale.
UEFA ka ngritur një komitet emergjence për të menaxhuar situatën e shkaktuar nga Coronavirusi, ndërsa nuk përjashtohet edhe një shtyrje e Kampionatit Europian, ndërsa në Itali është Luigi Di Siervo personi që po monitoron me kujdes situatën.
Për shkak të Coronavirusit, në Serie A u shtynë disa ndeshje javën e kaluar, veçuar ajo mes Juventusit e Interit, e cila do të zhvillohet të dielën, pa praninë e tifozëve, nëse gjërat mbesin kështu siç janë.