Pak më shumë se një javë më parë, Torreira tha mjaft, të paktën përkohësisht me Europën. Ish-mesfushori i Sampdoria nuk ka ndërmend të vazhdojë të luajë futboll në Kontinentin e Vjetër. Tashmë e ka vendosur të ardhmen e tij. Siç tha në një intervistë me zemër të hapur për ESPN, vetë lojtari ka zgjedhur Boca Juniors. Vdekja e nënës së tij, pas infektimit me Covid-19, e ka përshpejtuar këtë zgjedhje, që po projektohej prej disa kohësh.
“Natën kur nëna ime vdiq ishte ora 04:15 e mëngjesit. Më vonë fola me agjentin tim, i cili ishte në dijeni të situates. Menjëherë i thashë që të krijonte kushtet për të më kthyer në vendlindje, sepse futbollin dua ta vazhdoj vetëm në Amerikën e Jugut. Ia thashë këtë edhe babait, që fillimisht u trondit. Pastaj më tha me lot në sy se ishte koha për të luajtur në Bombonera”.
Torreira kërkoi ndihmë nga klubi i tij, Arsenal. Të njëjtën gjë bëri babai i tij, i cili nisi veprimet për ta ndihmuar të birin të kthehet në Amerikën e Jugut. “Lucas ka shumë dhimbje, nuk mund të rrijë i vetëm atje në Europë. Ne po përpiqemi të kuptojmë se si mund të jemi me të deri në fund të sezonit. Kur humbni dikë kaq të dashur, siç ndodhi me ne, e kuptoni që jeta nuk tregohet aq bujare me ju. Dhe nëse Lucas dëshiron të vijë te Boca, le të urdhërojë”. Kjo deklaratë për “ESPN Argjentina” e babait të futbollistit, që shpjegon se sa e rëndësishme është e gjithë kjo histori për familjen.
Torreira duhet të kthehet në Spanjë, gjithsesi, ku ka qenë i huazuar tek Atletico. Ai është i vetëdijshëm për këtë, siç shpjegoi disa ditë më parë: “Do të kthehem e të jap gjithçka, sepse klubi u soll shumë mirë me mua. Shokët e mi të ekipit më mbështesin, kjo është e rëndësishme. Duhet të shkoj atje, pa marrë parasysh sa dhimbje kam. Pothuajse për një muaj e gjysmë ndeshjet mbarojnë. Ne e dimë se La Liga është shumë e rëndësishme këtë sezon, ngaqë kemi luftuar për kreun dhe titullin nga ndeshja e parë. Shpresoj të jem në gjendje ta përfundoj këtë sezon, duke fituar kampionatin”.
Pastaj do të flasë me Arsenalin: “Gjithçka varet nga ata. E imja është një zgjedhje personale. Nuk mendoj për paratë, përndryshe do të qëndroja dhe do të luaja në Europë. Nuk kam mungesë ofertash. Shkuarja te Boca? Edhe nëse do të jetë e komplikuar, shpresoj të ndodhë. Me siguri do të shkoj i huazuar për një vit”.