Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë me xhiron e 28-të këtë fundjavë.
Kjo javë starton të premten (nesër) me një ndeshje shumë interesante ku ballafaqohen dy skuadrat që kanë synim mbetjen në elitë.
Arbëria do të ketë punë me Trepçën ’89 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
“Kuqezinjtë” nga Dobraja e Madhe e Lipjanit janë të detyruar t’i zhvillojnë takimet si nikoqir në stadiumin e Podujevës, pasi momentalisht ndodhet “pa shtëpi”.
Një ditë më vonë, pra të shtunën, zhvillohen dy ndeshje që pritet të sjellin spektakël në fushë. Në Anamoravë, Gjilani e mirëpret Feronikelin e Klodian Duros, derisa Ballkani do të ketë punë të lehtë me Besën në Suharekë.
Kurse të dielën, janë në program dy takimet e fundit të kësaj xhiroje me kryendeshjen që zhvillohet në Podujevë.
Llapi e motivuar pas fitores në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës (ndaj Prishtinës 2:3) do të kërkojë pikët maksimale ndaj Dritës liderë.
Të gjitha përballjet fillojnë nga ora 15:00.