Ish zyrtari i Federatës Spanjolle të Futbollit, Eduard Dervishi, në vitin 2016, kur spanjollët erdhën të luanin ndaj Kombëtares ‘Kuqezi’ në “Loro Boriçi”, u shpreh se atë takim donte të fitonte Kombëtarja spanjolle, shkruan Insporti.com.
“Unë punoj në Federatën Spanjolle dhe natyrshëm dua që atë ndeshje ta fitojë Spanja, edhe pse normalisht jam shqiptar. Në Shkodër na duhet fitorja patjetër, pasi nuk na intereson barazimi. Duam të kualifikohemi direkt, duke qenë në krye të grupit. Si vendi i dytë nuk ka asnjë garanci”, kishte thënë Dervishi në vitin 2016.
Kush është Eduard Dervishi
Eduard Dervishi është prej më shumë se një dekade zyrtar i Federatës Spanjolle të Futbollit. Ai mban postin e drejtorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të Licencës së UEFA-s. Ai është një nga ekspertët më të mirë shqiptarë në të drejtën sportive ndërkombëtare, e gjithashtu njohës i mirë i praktikave të UEFA-s. Nga viti 1992 deri në 1996, ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, në kohën kur kjo e fundit drejtohej nga ish-presidenti Miço Papadhopuli.