Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar, në prag të një ndeshjeje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës nesër në mbrëmje.
Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevillë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022, raporton Gazeta Express.
Në fakt, shorti për kualifikime për Botërorin e hodhi Kosovën në një grup me tri shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovës është Suedia.
Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve sesi lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot.
Sport e përmendi faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet.
Gazeta me bazë në Katalonjë shkroi: “Njëzet vjet pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45”.
Edhe takimi me Spanjën ishte barrierë jo e vogël, pasi që prej se shorti i hodhi këto dy ekipe në një grup, polemikat nuk janë ndalur.
Federata e Futbollit e Spanjës i ishte referuar Kosovës si territor fillimisht dhe mediat atje kishin tendencë për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pas pikërisht gazeta e përditshme spanjolle “AS” kishte refuzuar t’ia shkruante emrin shtetit më të ri evropian në tabelën e Grupit B në uebsajtin e vet.
Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.
Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevillë. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll.
Verdhekaltrit mbërritën në Sevillë të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.
Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Spanja me katër pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.
Kosova është pa pikë pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Suedisë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para.