Pas humbjes nga Suedia, trajneri i Kosovës Bernard Challandes ka pranuar që kundërshtari ishte shumë më i fortë dhe se gabimet e bëra u kushtuan futbollistëve të tij në lojë.
“Nuk mund të jem i kënaqur me mënyrën se si ka shkuar loja. Kemi provuar ta ndërtojmë lojën tonë, por Suedia me dy lojtarë si Ibrahimoviq dhe Isak ishte shumë e rrezikshme dhe nuk ishte fare e lehtë për ne”, tha Challandes.
I pyetur rreth vonesës me zëvendësime, strategu zviceran tha se ai ishte i kënaqur me lojën e treguar në pjesën e parë.
“Nuk e di nëse inkuadrimi i dikujt tjetër do ta ndryshonte lojën. Mund të duket e lehtë të jesh trajner, por nuk është ashtu”, u shpreh ai.
Për sa i përket një humbjeje eventuale në ndeshjen e radhës si mysafir nga Spanja do ta detyronte të jep dorëheqjen, Challandes hodhi poshtë një gjë të tillë.
“Jo, unë e kam ditur që ky grup është shumë i vështirë dhe se kualifikimi në botëror është një ëndërr,” tha tekniku zviceran.
Kosova sonte në “Fadil Vokrri” pësoi humbje 0:3 nga Suedia, në ndeshjen e parë të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”.