Ish-futbollisti i njohur i shumë skuadrave në Kosovë, Xhevdet Llumnica, i cili tash e disa vjet jeton në Suedi dhe është trajner i kategorive të reja, gjithmonë është afër zhvillimeve në futbollin tonë.
Ai duket se nuk ka mundur të qëndrojë indiferent për sulmet që po bëhen ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi, prandaj edhe ka dalë në përkrahje të këtij të fundit, duke e falënderuar për mundësinë që ia kishte dhënë për të luajtur futboll në kohën më të vështirë të popullit tonë.
“President, unë personalisht të jem mirënjohës për mundësinë që na dhe të luajmë futboll në kohën më të vështirë, pra në kohen e okupimit në lagjen më të varfër të kryeqytetit tonë në Kodër të Trimave (Vranjevc). Kur aktivitetet sportive ishin shumë te rralla dhe kur disa që kakarisin sot poshtë e naltë dikur shtinin rruza n’pe. Rrnoft Futbolli, poshtë qakallat!”, ka shkruar Llumnica në profilin e tij në Facebook.
E ndaj këtij mesazhi të njëri prej lojtarëve më të mirë të futbollit kosovar të pasluftës kanë reaguar me komente edhe shumë ish-futbollistë, të cilët i kanë dhënë përkrahje për këtë mesazh.