Prishtina – Llapi dueli gjysmëfinal, Batatina: Nuk ka favorit, do ta japim maksimumin, fokusi ynë është Kupa e Kosovës

Gjatë ditës së sotme (e martë) në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” është hedhur shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll për edicionin 2020/2021.

Dy favoritët për të triumfuar në Kupën e Kosovës, FC Prishtina dhe Llapi do të përballen mes vete në gjysmëfinale, e cila pritet të jetë tejet interesante.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se në përballjet gjysmëfinale nuk do të ketë favorit, teksa ka shtuar se Llapi i drejtuar nga ai do të ketë një përparësi ndaj “bardhekaltërve” nga kryeqyteti.

“Ndoshta ka qenë mirë dy skuadrat të luajmë në finale. Jemi dy skuadrat më të forta që kemi mbetur në Kupë. Por ky është fati, ky është futbolli, ky është shorti. Nuk ka favorit këtë ndeshje. Janë dy takime. Një përparësi të lehtë e kemi që Llapi nuk është në garë për titull të kampionit, ndërsa Prishtina është në atë garë. Ne jemi të fokusuar vetëm te Kupa. Sidoqoftë, në gjysmëfinale do të jetë një ndeshje e vështirë për skuadrën e Llapit. Duke e ditur se përballemi me një nga skuadrat më të mira në ndeshjet e fundit në Superligë. Por ne do ta japim maksimumin, do të bëjmë gjithçka”, ka thënë Batatina për “Zeri.info”.

Tekniku llapjan ka edhe disa fjalë për ndeshjen tjetër në gjysmëfinale ndërmjet Istogut dhe Dukagjinit.

“Kjo është bukuria e futbollit. Pasi dy skuadra, një nga Superliga dhe një nga Liga e Parë do marrin pjesë në finale të Kupës”, theksoi trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Ballafaqimi i parë gjysmëfinal luhet më datën 7 prill, kurse e kthimit zhvillohet më 21 prill

Përballjet gjysmëfinale zhvillohet me nga dy ndeshje në sistemin vajtje-ardhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *