Kosova do të përballet me një grup të vështirë në Ligën e Kombeve, pasi i ka rënë shorti të luajë me dy ndër kombëtarët më të forta në Ligën C, Greqinë dhe Slloveninë.
Kombëtares verdhekaltër i ra shorti – i mbajtur të martën në Amsterdam, të luajë në Grupin 3 të Ligës C në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, raporton Gazeta Express.
Përveç Sllovenisë dhe Greqisë, Kosova do të përballet edhe me Moldavinë.
Orari i ndeshjeve të Ligës së Kombeve:
E enjte, 3 shtator: Moldavia vs Kosova (20:45)
E diel, 6 shator: Kosova vs Greqia (20:45)
E shtunë, 10 tetor: Kosova vs Sllovenia (20:45)
E martë, 13 tetor: Greqia vs Kosova (20:45)
E premte, 13 nëntor: Sllovenia vs Kosova (20:45)
E hënë, 16 nëntor: Kosova vs Moldavia (20:45)
Në një format të garës vajtje-ardhje, dardanët do të udhëtojnë drejt dy vendeve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Greqi dhe Moldavi.
Kosova – e cila bëri famë të madhe me paraqitjet në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve, duke e siguruar promovimin në një ligë të nivelit më të lartë dhe duke e siguruar një vend në play-off për kualifikim në Euro 2020 – do të kërkojë ta përsërisë të njëjtën edhe në edicionin e dytë.
Ndeshjet do të zhvillohen mes shtatorit dhe nëntorit të këtij viti në një format vajtje-ardhje.
Fituesit e katër grupeve do të promovohen në Ligën B – niveli i dytë i garës – ndërsa Kombëtaret që përfundojnë në vendin e fundit në grupet e tyre përkatëse, do të luajnë në play-off për rënie në Ligën D.