Dueli ndërmjet Llapit dhe Arbërisë përfundoi në të mirë të vendasëve, ku skuadra e Batatinës triumfoi me rezultat 4-3 ndaj Arbërisë.
Batatina pas ndeshjes ka zbuluar se cilat janë objektivat e Llapit, duke përmendur edhe lojtarët e rinj.
“Mendoj se rezultatet tregojnë se gjithçka po funksionon në mënyrë perfekte për Llapin, ne e dimnim që do të jetë e vështirë, ishte një ndeshje jetike pas gjysmëfinales së Kupës, disa lojtarë të dëmtuar, disa të ngarkuar. Në këtë ndeshje ishte maksimumi, të ngjitemi sa më lartë dhe të jemi më komod dhe më pas të përqendrohemi në Kupë” deklaroi fillimisht Batatina.
Më pas ai tha se është i gëzuar me faktin që në këtë ndeshje u angazhuan edhe lojtarë të ri, të cilët sipas tij madje edhe e fituan ndeshjen.
“Jam i kënaqur me faktin që edhe pse pësuam gola, kemi bërë diçka madhore, siç është përfshirja e Krasniqit, Aliut dhe Hyseni, një lojtar 19-vjeçar. Për mua është shumë mirë, pasi këta lojtarë e fituan ndeshjen. Fokusi ynë është t’u japim hapësirë talenteve. Veliu po kthehet në formën më të mirë, së bashku me Januzin. Ne duhet të punojmë gjatë këtyre 2 javëve. Kjo pushim na përshtatet pas shumë lojrave të ngarkuara”, përfundoi ai.
Me këtë fitore Llapi ngjitet në pozitën e 5’të me 33 pikë të numëruara, teksa, Arbëria po vuan me paraqitjet e fundit, ata kanë regjistruar tashmë tre humbje, dy barazime dhe një fitore në pesë ndeshjet e fundit, duke u pozicionuar në pozitën e 8’të me 27 pikë.