Cristiano Ronaldo po luan sezonin e tij të tretë me fanellën e Juventusit dhe ka edh enjë vit të mbetur në kontratë, por paga e lartë e portugezit dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, mund të sjellin divorcin e parakohshëm.
Mbyllja e shkallëve të stadiumit ka ulur ndjeshëm të ardhurat për Juventusin dhe 31 milionë eurot e pagës së sulmuesit portugez, që shkojnë shumë më tepër në vlerë bruto, rëndojnë jo pak në arkat e bardhezinjve.
Interesi për Ronaldon nuk mungon, qoftë nga klube europiane, qoftë nga ato amerikane, me Inter Miamin që është gati të “lajë në ar” portugezin dhe të paguajë edhe një shifër të kënaqshme te Juve për kartonin e tij.
Nga ana tjetër, Paratici po punon për të rikthyer në Itali sulmuesin argjentinas Mauro Icardi, i cili pas divorcit të hidhur me Interin, mirëpret një transferim te “zonja e vjetër” për një lloj revanshi ndaj zikaltërve.
PSG pagoi 58 milionë euro në total për kartonin e futbollistit argjentinas, ndërsa Juventus mund ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje për një shifër prej rreth 50 milionë eurosh, të ndarë në këste në disa vite.
Sa i përket reduktimit të shpenzimeve, edhe mesfushorit Rabiot e Ramsey, të cilët erdhën me parametra zero në Torino, janë në listën e atyre që duhen sakrifikuar këtë verë, pasi kanë paga mjaft të larta.
Për më tepër asnjë prej tyre nuk është titullar i padiskutueshëm dhe bardhezinjtë po provojnë të afrojnë Locatellin nga Sassuolo për mesfushën, ndaj largimi i Ramsey e Rabiot do të ishte një operacion me mjaft leverdi për klubin.